Verdi Morava, i arrestuar si pjesë e grupit kriminal që rekrutonte shqiptarë drejt ISIS, është sot i lirë.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Shqipëria live’ në Top Channel, Morava thotë se do të vijojë betejën ligjore duke besuar në pafajësinë e tij.
Si është një ditë e juaja tani?
Është një ditë që e kaloj me njerëzit e njohur që më urojnë më takojnë. Edhe atje ku isha nga ana psikologjike e shpirtërore kam qenë gjithmonë i lirë, edhe pse fizikisht isha pas hekurave.
E mban mend momentin e arrestimit?
Po, patjetër. Ka qenë ora 04:50 e mëngjesit ditë e martë. Nuk kam qenë në Tiranë, kam qenë në një qytet tjetër në shtëpinë e disa miqve.
E prisje arrestimin?
As mund ta imagjinoja, jo ta mendoja. As ëndërr nuk e kisha parë.
Akuza ka qenë shoqërimi i një personi që po shkonte drejt ISIS, që më pas u bazua në deklaratën e dy personave të tjerë.
I moshuari rreth 73-74 vjec disa ditë më parë më kërkoi nëse kisha mundësi që në filan ditë, kishte prerë biletën ta shoqëroja për në aeroport sepse do të shkonte në Turqi. Sa i perket personave që takuam në aeroport nuk i njihja as për fytyrë. Ata njiheshin mes veti. Paradoksi, në dosjen e grupit tonë, kur flitej për emrin tim, flitej se unë kisha komunikuar me këta persona në një formë të caktuar. Ndërkohë që kur flitej për këta persona, në lidhje me persona të tjerë, janë argumente që më shfajësojnë. Pra vetë prokuroria më shfajësoi indirekt. Nuk kërkova gjykim të shkurtuar dhe as ndarje, doja të shikoja gjithë përrallat që kishin qëndisur. Doli që në lidhje me mua nuk pati asgjë.
Do e ndiqni ligjërisht pafajësinë tuaj?
Sigurisht. Cështja ime nuk ka marrë ende formë. Jam i pafajshëm
Top Channel