Kryeministri Edi Rama dha disa detaje se ku u përqendrua biseda gjatë takimit joformal me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borell dhe krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edi Rama: Biseda është përqendruar tek situata social-ekonomike, si rezultat i pasojave të luftës dhe për hir të vërtetës, nëse do kishim mundur ta ndanim me opinionin publik në Shqipëri atë bisedë, do kishim dëgjuar vërtetë situata shumë më problematike sesa situata jonë, në aspektin e qëndrueshmërisë financiare, në aspektin e financimit të mëtejshëm të ekonomisë, në aspektin e inflacionit e kështu me radhë.
Për hapat vendnumëro të integrimit evropian, kryeministri Rama thotë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë.
Edi Rama: Ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata.
Kryeministri Rama nga Brukseli ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në përpjekjet e saja për tu aderuar në organizmat ndërkombëtare.
Rama: Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën.
Top Channel