Një garë sportive mes gjimnazistëve në Tiranë përfundoi në përplasje fizike.
Fitorja e shkollës së mesme ‘Ismail Qemali’ në ndeshjen e volejbollit përballë gjimnazit ‘Andon Zako Cajupi’ nuk u prit mirë nga nxënësit që nuk ngritën kupën triumfuese , të cilët pasi mbaruan aktivitetin e dolën jashtë pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’ u zunë me njëri-tjetrin në shenjë rivaliteti e xhelozie.
Ky sherr i dhunshëm edhe me mjete të forta nuk është rast i vetëm.
“Para dy muajsh u zunë gocat u kapën për flokësh. Zihen për një fjalë goje.”
Dhuna mes adoleshentëve është kthyer në një fenomen shqetësues e të përsëritur, si në ambjentet brenda shkollës apo në komunitet, tregojnë psikologët, kjo ndikuar nga shembujt që përcjellin të rriturit, indiferenca ndaj çrregullimeve të sjelljes apo qëndrimi i të rinjve me orë të gjata në internet.
“ Jo vetëm që shohin në ekrane video agresive , të dhunshme por ka shkaqe edhe sepse në këtë moshë adoleshentët janë në një luftë me veten të kalimit nga fëmijë në të rritur si dhe modelet qe ata marrin”, tha psikologia Lorela Garuli.
Shfaqja e agresivitetit te të rinjtë duhet të jetë shenjë për prindërit dhe mësuesit që të komunikojnë me fëmijët e tyre, këshillojnë specialistët.
“Adoleshentët nuk duhen fajësuar, por ata kanë nevojë për ndihmë emocionale. është e nevojshme që jo vetëm ti kushtohet rëndësi që adoleshenti të ketë nota të mira por më shumë të ketë edukim të mirë”, tha psikologia.
Top Channel