Në përfundimin e takimit joformal me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borell, krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor iu rikujtua se përshtatja e qëndrimeve të tyre me vendimet e BE-së në politikë të jashtme dhe siguri, është element qendror në rrugëtimin europian.

Kjo u theksua në deklaratën e lëshuar  nga autoritetet europiane, ku nënvizohej se takimi ka qenë rast për të shkëmbyer mendimet rreth sfidave në rajon dhe të ardhmen europiane të rajonit.

“Fokusi në takimin e 11 majit, ishte ndikimi global dhe rajonal i luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, dhe si munden së bashku BE-ja dhe partnerët nga Ballkani Perendimor të zbusin dëmet dhe pasojat e kësaj lufte, si në çmimet e ushqimit dhe energjisë, ashtu edhe në stabilitetin rajonal dhe global”, thuhej aty.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell ka mirëpritur mbështetjen e plotë të partnerëve nga Ballkani Perëndimor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutat lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Ai përsëriti  rëndësinë e përshtatjes me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, si element qendror në rrugëtimin evropian” thuhet më tej në komunikatë, duke shtuar se “liderët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre strategjik për integrim në BE dhe bashkëpunim rajonal”, vazhdonte deklarata.

Deri më tani, Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë. BE-ja paralajmëroi se diskutimet me vendet e rajonit Perëndimor do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel ministrash. Pjesëmarrës në darkën në Bruksel ishin: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Kosova u përfaqësua me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA