Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave kontratën koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Triportit të Vlorës.
Miratimi erdhi pas shpalljes së fituesit të koncesionit vitin e kaluar, një konsorcium prej 5 operatorësh dhe kontrata parashikohet të ketë një kohëzgjatje prej 10 vitesh me një vlerë investimi prej 40 milionë euro.
Ky port aktualisht është vetëm për peshkim. Por, me transformimin e tij në të ardhmen pritet të shërbejë si një port i integruar për shërbimin e përpunimit të mallrave dhe transportin e pasagjerëve e automjeteve, bazuar në kalatat e reja që do të ndërtohen në të.
Sipas projektit, parashikohet që Troporti i Vlorës të bëhet një port elitar jahtesh duke i dhënë hov të mëtejshëm zhvillimit të turizmit në atë zonë, ku pritet të akomodohen minimalisht 400 jahte dhe anije.
Sipas vendimit të qeverisë kontrata koncesionare me Ministrisë dhe konsorciumit fitues do të nisë zbatimin menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Financimi për këtë projekt sipas qeverisë do të fillojë të paguhet nga shteti pasi investimi të ketë përfunduar plotësisht dhe në porti të ketë nisur operimin.
Top Channel