Në Shqipëri harxhohen shuma marramendëse për estetikë, fasada, por nuk i kushtohet vëmendja e duhur asaj që është më e rëndësishmja; sigurisë së veprave inxhinierike.
Këtu fjalë është për rrugët, urat, digat, institucionet apo deri edhe objektet e banimit që duhet të jenë garanci për sigurinë e jetës së njerëzve.
Koncesionari i Rrugës së Arbrit, i ka kushtuar shqiptarëve 31 miliardë lekë ose 253 mln euro. Por, kësaj fature i duhen shtuar edhe 20 milionë euro shtesë nga dëmtimet e paparashikuara.
Në dokumentet e tenderit shkruhej se “dalja jashtë pune ka ardhur si rezultat i uljeve gjeologjike të të gjithë fushëgropës së Bulqizës. Ulja e krijuar në vite ka prekur edhe rrugën në zbritje të segmentit nga Qafa e Buallit deri në nyjen në hyrje të Qytetit të Ri të Bulqizës, ku janë shfaqur çedime të trupit të rrugës”. Pra, në protokollet e ndërtimit nuk ishte parashkuar sizmiciteti i zonës, duke sjellë shpenzime shtesë në vlerë mjaft të lartë.
Problematikë e ngjashme konstatohej edhe në By Passin e Vlorës apo në Rrugën e kombit që preku një vlerë prej rreth 1 miliardë eurosh.
Fenomenet natyrore nuk mund të ndalen, disa të tjera si tërmeti, as nuk mund të parashikohen më pare… Por, ekspertët që marrin pjesë në ndërtimin e objekteve inxhinierike mund të bëjnë studimet përkatëse të fushës gjeologjiko-inxhinierike dhe sizmike për të ndërtuar sipas parametrave dhe terrenit të caktuar.
“Këto formacione. Hyrja për në Spille në Kavajë, Kodra e Shtufit në Gjirokastër, aksi rrugor që lidh Mallakastrën me Tepelenën, edhe aty ka pasur rrëshkitje. Rruga Arbrit, rruga eKombit, By passi i Vlorës në momentin që këto vepra ndërtohen në këto formacione duhet të bëhet një studim i mirëfilltë gjeologjiko-inxhinierik i tokës. Duhet të bëhen gjatë fazës së projektimit të veprës inxhikkerike. Nëse ka leverdi që aksi rrzgor të kalojë mbi këto depozidime apo të evitohet ndërtimi në to” u shpreh pedagogu, Klodian Skrame
Pasojat e lëkundjeve të vitit 2019 evidentuan që nuk është marrë seriozisht ose nuk është konsideruar fare sjellja e tokës ndaj tërmeteve në ndërtimin e objekteve inxhinierike. Po ashtu edhe niveli sizmik në disa raste.
Top Channel