Transportohen në spital turistët që u rrëzuan në humnerën e Valbonës, njëri prej tyre humbi jetën

10/05/2022 17:52

Tre turistë zviceranë janë rrëzuar ditën e sotme duke ecur mes Thethit dhe Valbonës, ku njëri ndër ta ka humbur jetën.

Burime për “Top Channel” bëjnë me dije se në spitalin e Tropojës janë transportuar të plagosurit, pas disa orësh pasi terreni ishte shumë i vështirë për t’u ndërhyrë.

Më herët udhërrëfyesi Zef Gjini ka treguar për Top Channel se ishte ai i cili mbërriti i pari në vendngjarje dhe gjeti në fund të humnerës një burrë të pajetë dhe dy të rinj çift që ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Turisti që ka humbur jetën ka tentuar të hidhet në anën tjetër të shtegut. Si pasojë i ka rrëshqitur këmba dhe ka rënë në humnerë, ku ka edhe prani të borës. Ai ka ndërruar jetën në moment. Ndërsa dy të tjerët janë traumatizuar nga vdekja e tij.

Detaje nga rruga që përshkuan turistët:

Tre turistët janë nisur sot nga Thethi për të kaluar në këmbë drejt Valbonës. Pasi kanë mbërritur në Qafën e Valbonës, për shkak të lartësisë së madhe, kanë hasur në dëborë, ende të pashkrirë.  Në këto kushte, rruga e këmbësorëve dhe shtigjet për kalimtarët kanë qënë me prezencë akulli dhe bore,  kështu turistët kanë zgjedhur të kalojnë përmes një shtegu që nga banorët përdoret vetëm nga kuajt në verë. Pasi kanë ecur për disa minuta në shtegun e kuajve, ata kanë rrëshqitur duke rënë në një gremine rreth 30 metra.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe policia e Kukësit.

Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për turistët e huaj të cilët janë dëmtuar rëndë, duke eksploruar zonën e Valbonës, ju informojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas disa orësh kërkime, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”. Nga deklarimet paraprake të njërës prej turistëve, shtetases M. S., 29 vjeçe, rezulton se ajo po eksploronte zonën e Valbonës, së bashku me një turist tjetër, shtetasin D. J., 30 vjeç, i cili duke u ngjitur në një shkëmb të thepisur, me dëborë, ka rrëshkitur dhe ka rënë në humnerë, për pasojë ky shtetas ka humbur jetën. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë është bërë e mundur nxjerrja nga humnera e trupi të pajetë të shtetasit D. J. Ndërsa shtetasja M. S. po transportohet me helikopter, në spitalin e Bajram Currit.  Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave”, sipas policisë.

 

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA