Ethet e finales, Veliaj: Çmimet do të rriteshin kudo që do të mbahej finalja

10/05/2022 20:10

Lidhur me organizimin e finales të Conference League që do të mbahet në stadumin Air Albania” në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj, sqaroi se nuk ka asnjë spekulim me çmimet e hoteleve në kryeqytet.

Ai shpjegon se ndryshimi i çmimeve bëhet nga vetë algoritmi i sistemeve online të specializuara për rezervime.

 “Dëgjova një të fundit kur thanë se “të gjithë ata që merren me hotele në Shqipëri janë spekulantë, shiko sa kanë vajtur çmimet për ndeshjen”. Por, e dini çfarë? Çmimet për një ndeshje të tillë do të shkonin po kaq kudo ku ajo të luhej. Pra, të njëjtët njerëz që para pak ditësh përhapnin panik se finalja do të luhej në një shtet tjetër dhe i gëzoheshin këtij “dështimi” të Shqipërisë, sot vajtojnë për çmimet në hotelet tona. Por, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi. Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit”, tha Veliaj.

Veliaj tha se duke qenë pjesë e një ekonomie globale, punohet me një algoritëm të kompanive ndërkombëtare.

“Për rezervimin e dhomave të fundit çmimi rritet. Ndaj, ju lutem të gjithë atyre që kanë portale, memexhinjve, të gjithë atyre që vënë gjoba, që i shërbejnë një klienti politik, apo të biznesit, mos e shani Shqipërinë, mos i shani zanatet, mos i shani çunat dhe gocat që punojnë në turizëm, mos i shani ata që punojnë me sakrificë. Jemi pjesë e një ekonomie globale, punohet me një algoritëm të kompanive ndërkombëtare, të cilat gjithashtu prodhojnë këto lloj çmimesh kur kanë mbetur dhomat e fundit”, tha Veliaj.

Jo vetëm bizneset, por edhe shumë qytetarë janë bërë pjesë e sistemit global për shërbime hotelerie, duke liruar edhe hapësirat e shtëpive të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA