Ekskluzive/ Emrat e zarfit! Kodheli më e votuara, Ahmetaj e Gjiknuri asnjë votë! Bregu nga emrat e djathtë

10/05/2022 19:37

Për Edi Ramën vjelja e mendimit të grupit parlamentar socialist përmes tre propozimeve me zarfe të mbyllura ishte një risi.

Më shumë se sa një risi u duk si një ushtrim politik për të testuar perceptimin e deputetëve për proces-zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kanë kaluar 22 ditë nga koha kur zarfet me propozime u administruan por asnjëherë nuk u bënë publik preferencat e deputetëve socialist.

Kjo e veshi me mister këtë proces i cili u zbeh më pas, nga Edi Rama kur tha se kandidati për president,  nuk do të jetë nga radhët e grupit parlamentar të PS.

Gazetari Top Channel, Muhamed Veliu nga dy burime brenda në PS në dijeni të dokumentit përmbledhës të propozimeve mëson se deputetët socialist kanë prodhuar një surprizë e cila ka habitur edhe vetë kryetarin e partisë së tyre.

Disa deputetë kanë propozuar Edi Ramën për të qenë ai pasardhësi i ish mikut të tij tashmë armik, Ilir Meta.

Deklarimet e shpeshta se ka ardhur koha për një presidente grua, janë reflektuar edhe në propozimet e socialistëve.

Nga ky proces propozues figura më e votuar është Mimi Kodheli aktualisht kryetare komisionit për politikën e jashtme, një ish bashkëpunëtore e hershme e Ramës, kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës e më pas në mandatin e parë të qeverisë Rama ministre e Mbrojtjes.

Zonja Kodheli u vendos e 21-ta në listët e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2021 duke mos fituar por lënia e mandatit nga  Najada Çomo e riktheu atë në parlament.

Si preferencë të dytë më e votuar deputetët socialist dëshironin të shikonin në presidencë kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla, ish ministre e Arsimit e cila si drejtuese politike e partisë qetësoi acarimet e përçarjet e socialistëve të Lezhës.

Dy nga 74 deputetët socialist, kanë propozuar për president kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Por dy më të promovuarit nga Rama pas zgjedhjeve të 25 Prillit, Arben Ahmetaj zëvendës kryeministër dhe ministër për Rindërtimin së bashku me sekretarin e ri të përgjithshëm të PS, Damian Gjiknunuri kanë marrë zero propozime nga kolegët e tyre deputetë.

Deputetët socialist kanë propozuar edhe emra jashtë shtëpisë së tyre politike.

Njëra prej tyre ish ministrja demokrate e Integrimit Europian, Majlinda Bregu e cila aktualisht është sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA