Për të rritur sigurinë rrugore policia e Tiranës ka vijuar kontrollet intensive edhe këtë të hënë.
Në filtrin e efektivëve të rrugores kanë qenë kryesisht mjetet luksoze të cilat nuk zbatonin kodin rrugor.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat ka ndjekur nga afër disa nga këto kontrolle ku efektivët në terren kanë konstatuar që drejtuesit e mjeteve nuk u japin përparësi këmbësorëve në vijat e bardha dhe gjobiten me 3 mijë lekë.
Po ashtu shumë mjete të tjera u ndaluan sepse kishin errësuar xhamat e makinave në kundërshtim me ligjin dhe janë gjobitur në vlerën 15 mijë lekë të reja.
Një prej këtyre drejtuesve, që u ndalua për xhama të mjetit të errësuar u arrestua sepse tentoi të korruptojë punonjësin e policisë duke I ofruar 2 mijë lekë.
Top Channel