I nxitur nga Dita e Europës, kryeministri i Kosovës u shpreh se nevojitet një zotim për ta mbrojtur e përshpejtuar integrimin e Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.
Ai u shpreh se këtu duhet të përfshihet edhe Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia.
“Këto vlera sot po mbrohen në Ukrainë. Atje, përballë një agresori e pushtuesi despotik, po mbrohet ideja e një Europë të lirë dhe të bashkuar. Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kosovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe gjitha shtetet evropiane paqedashëse të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë”, shkroi ai. Kryeministri shtoi se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.
“Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë”, ishte komenti i tij. Sot në 9 maj, në Ditën e Europës, tha Kurti, kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman.
Kujtojmë idetë dhe idealet e themeluesve të Bashkimit Europian të cilët pas shkatërrimit që sollën dy luftëra botërore e kuptuan që paqja për të qenë e qëndrueshme, duhet të jetë e lidhur me drejtësinë, barazinë, bashkëpunimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë; se integrimi e ndërvarësia sjellin më shumë fitime dhe mundësi sesa rivaliteti e kundërvëniet.
Top Channel