Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan sot në dhuratën, që iu dorëzua Papës Françesku nga kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, për vizitë në Vatikan.
Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun, sot paradite në Vatikan.
Në qendër të bisedës, edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve dhe kontributi i tyre në ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes si qelizë themelore e shoqërisë. U përmend Dokumenti i Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor, që Myftiu, Haxhi Spahiu, siç i tha Atit të Shenjtë, e promovon dhe e përhap kudo në Shqipëri.
Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm.
Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor. Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.
Më pas, kreu i myslimanëve të Shqipërisë u takua me Sekretarin vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.
Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së. Kjo vizitë u iniciua nga Nunci Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi.
Kryetari Spahiu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit dhe shoqërua gjatë gjithë kohës nga e ngarkuara me punë e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, znj. Majlinda Dodaj.
Top Channel