Amnesty International: Krime lufte në Ukrainë, Rusia të përballet me drejtësinë!

06/05/2022 14:11

Amnesty International pohon se ka dokumentuar krime të shumta lufte të kryera nga forcat ruse në komunitetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përfshirë ekzekutime arbitrare, bombardime të zonave të banuara dhe raste torture.

“Llojet e krimeve të kryera nga forcat ruse që ne kemi dokumentuar përfshijnë edhe sulme të paligjshme dhe vrasje të qëllimshme të civilëve”, deklaroi sekretarja e pergjithshme e organizatës, Agnes Callamard. “Është thelbësore që personat përgjegjës, përfshirë zinxhirin komandues, të dalin para drejtësisë”, theksoi ajo. Amnesty ka grumbulluar dëshmi dhe prova në tetë qytete pranë Kievit, përfshirë Bucha-n.

Pas tërheqjes së forcave ruse atje në prill, trupa të pajetë u zbuluan nëpër rrugë, disa me duart e lidhura pas shpine, të tjerë në varre masive. Sipas guvernatorit të rajonit të Kievit, Oleksandr Pavlyuk, të paktën 1,235 civilë të vrarë janë gjetur në këtë zonë.

Në raportin e Amnesty International tregohet dhe rasti i vrasjes së 53 vjecarit Yevhen Petrashenko, i cili u qëllua për vdekje pas shpine në kuzhinën e shtëpisë së tij, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij ishin fshehur në bodrum. Sipas Amnesty International ekzekutimet në Buça janë kryer nga pushkë të specializuara që përdoren nga njësi elite ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA