Nga guroret nuk ka shpëtuar as Parku Kombëtar i Valbonës, një ndër zonat më të vizituara.
Buzë rrugës kryesore, ndonëse gurorja ndodhet rreth 200 metër përpara tabelës që tregon fillimin e zonës së Mbrojtur, nga verifikimi që Inside Story bëri në hartën e zonave të mbrojtura rezulton se ajo ndodhet brenda saj.
Eskpertët akuzojmë madje se vendi i tabelës u ndryshua qëllimisht, që të krijohej përshtypja që ky aktivitet shkatërrues ishte jashtë zonës së mbrojtur.
Paradoksalisht, ndonëse kjo gurore funksionon që prej vitesh dhe ndodhet në buzë të një ndër rrugët më turistike në vend, askush nga zyrtarët e institucioneve nuk e ka parë.
Agjencia Kombëtare e Burime Natyrore mohon që kjo karrierë të jetë në listën e tyre të licencave, që do të thotë se ajo ushtron aktivitetin në të zezë. Banorët tregojnë se ajo punon thuajse çdo ditë dhe pas qëndron një person i lidhur me drejtuesit lokalë të bashkisë së Tropojës.
Katerina, e njohur ndryshe si amerikania e Valbonës, është kthyer në mbrojtësen më të madhe të kësaj zone. Ajo pranon se pasaporta amerikane dhe fakti që nuk ka njerëz të afërt apo familjarë këtu, ia bën më të lehtë qendresën ndaj presioneve.
“E keni parasysh si është këtu, në një familje të madhe dhe me kaq pak mundësi punësimi është e lehtë tu bësh presion, ndaj qytetarët e kanë të vështirë të reagojnë. Megjithatë gjërat kanë ndryshuar dhe vijnë e më takojnë vetë”
Edhe në malin e Dajtit, në kufi me zonën e mbrojtur, ne evidentuam të njëjtën situatë me guroret abuzive. Një pjesë janë mbyllur, duke e lënë në vend të pyjeve një shkretëtirë, por disa të reja kanë mbirë.
“Nëse pretendojmë se kemi një zonë të mbrojtur siç është Dajti, dhe fill kufirin e kësaj zone do të vendosim një aktivitet që e shtrin efektin edhe brenda zonës së mbrojtur. Nuk ka të bëjë sa metra janë larg kufirit të zonës së mbrojtura, se ti mund të jesh edhe km larg zonës së mbrojtur, por nëse efektet e aktivitetit shtrihen brenda zonës së mbrojtur nuk duhet lejuar” u shpreh eksperti mjedisit, Olsi Nika
Asnjë prej tyre nuk figuron në listën që AKBN i vuri në dispozicion Inside Story, që do të thotë se ata e ushtrojnë aktivitetin të palicencuar dhe në mënyrë abuzive.
Një aksion i ndërmarrë në vitin 2019 nga ish ministri i mjedisit, Blendi Klosi mbylli 13 gurore në zonën e Krastë – Vrionit në bashkinë e Krujës, e cila gëzon statusin e zonës së mbrojtur.
Por 2 vite më pas, të dhënat e servirura nga bashkia Krujë tregojnë se ky aksion I quajtur i “suksesshëm” është vetëm propagandë. Bizneset e kësaj zone kanë ushtruar aktivitet të vazhdueshëm. Sipas një raporti të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që bëri një skanim të situatës në maj të vitit 2021, bizneset e guroreve në Krujë vijojnë të punojnë të pashqetësuar.
Në disa prej tyre, inspektorët kanë gjetur në punë edhe makineritë dhe thyerësen e gurëve që do të thotë që jo vetëm nuk janë çmontuar, por puna ka vijuar rregullisht.
“Një gurore abusive shfrytëzon në një mënyrë të keqe. Nuk ka një vnm, nuk njihet çfarë mund të përdorë, në momentin që përdorim shpërthime, mund të krijojnë rrëshqitje të territorit” u shpreh eksperti mjedisit, Klodian Skrame.
Top Channel