Guri i Bardhë me të cilin mburrej dikur qyteti i vogël i Urës Vajgurore, është kthyer në mallkim për të. Kodrat e bukura që rrethonin si kurorë qytetin janë zhdukur si pasojë e aktivitetit të dhjetra guroreve që i gërryejnë prej vitesh.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, bashkia e Dimalit siç quhet sot Ura Vajgurore, është më e lakmuara sa i përket guroreve. Në këtë bashki ushtrojnë aktivitetin plot 21 subjekte dhe shfrytëzimi i kësaj zone ka nisur që në vitet 2000 me një intesitet të shfrenuar. Shpërthimet e vazhdueshme në kantierë, puna pa lagur me ujë më parë vendin dhe pa filtra mbrojtëse e ka kthyer jetësën e këtyre banorëve në ferr. Situata alarmante e cilisësisë së ajrit që thithin banorët e kësaj zone është konfirmuar edhe nga një studim i kryer në vitin 2018.
Në zonën e quajtur Rruga e Goricës ndotja e ajrit me grimca pluhuri kap shifrat rekord prej 630 mikrogramë/m3, thuajse 8 herë më i lartë se standarti i BE-së dhe 4.5 herë më i lartë se standarti shqiptar. Grimcat e respirueshme PM10, që nëpërmjet frymëmarrjes përfundojnë në mushkëritë e banorëve po ashtu janë gjetur në vlera shumë të larta. Më konkretisht në ditët e matura sasia e PM10 ka rezultuar 290 mikrogramë/m3, ndërkohë që norma shqiptare është 60 mikrogramë dhe standardi i BE është vetëm 40 mikrogramë/m3.
Sipas ekspertëve nivele të tilla të ndotjes duhet të konsiderohen kërcënim serioz për shëndetin e banorëve dhe mund të shkaktojnë rritje të numrit të vdekjeve, shtim të sëmundjeve të zemrës apo atyre tumorale. Nivele të tilla alarmante të ndotjes i atribuohen biznesit të guroreve për faktin që kompanitë punojnë pa filtra mbrojtës.
“Një pjesë e tyre janë me veti kancerogjene. Njihen si dëmtues të heshtur sepse depozitohen në mirkoorganizmin e botës së gjallë dhe bioakumulohen deri tek njeriu duke krijuar shqetësime që janë dëmtime të mëlçisë, ndonjëherë edhe të sistemit nervor” u shpreh pedagogu, Aleko Miho.
Top Channel