Prej dekadash fermerët në Sri Lanka kanë qenë mbështetja kryesore e klanit të fuqishëm politik në pushtet Rajapaksa.
Por sektori bujqësor i vendit është goditur rëndë nga ndalimi i fertilizuesve që u vendos nga qeveria vitin e kaluar, që solli dështimin e prodhimit dhe krizen e urise.
Mes krizës së rëndë ekonomike fermerët i janë bashkuar protestave duke kërkuar largimin e Rajapaksave në pushtet.
Dështimi erdhi pasi presidenti i vendit ndaloi vjet importet e kimikateve bujqësore në një tentativë të dëshpëruar për të evituar falimentimin, shkruan rrjeti AFP.
Nisma u portretizua fillimisht si nxitja që Sri Lanka të bëhej kombi i parë me bujqësi krejtësisht organike.
Por kjo rezultoi një katastrofë që goditi si prodhimin dhe të ardhurat e fermerëve, solli rritje të çmimeve të karburantit, ushqimeve dhe mjekimeve.
“Ky shkatërrim erdhi nga njerëz që ulen në dhoma me kondicioner që nuk kuptojnë nga bujqësia, tha kreu 66 vjeçar i shoqatës së rritësve të orizit.
Ai quante planin “të çmendur”, duke argumentuar se ekspertët dhe fermerët kishin shprehur qartë kundërshtimin e tyre.
“Megjithë kundërshtimet, qeveria vazhdoi me rregullat ashpra ndaj nesh, dhe në fund ato dështuan”, tha ai për rrjetin AFP.
“Të gjitha çmimet e mallrave janë rritur, jetesa është e papërballueshme, uria është kudo, prandaj njerëzit e kanë refuzuar tashmë qeverinë”, shtoi ai.
Top Channel