Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënie, Kosova përmirësim në Treguesin e Lirisë së Shtypit

03/05/2022 09:05

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Por, sipas treguesit që u publikua të martën, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit.

Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.

Kosova ndërkaq ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.

Nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim për 33 vende. Ajo radhitet sivjet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të.

Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të.

Agresioni kundër Ukrainës (e cila radhitet në vendin e 106-të të treguesit) nga Rusia (që është në vendin e 155-të) në fund të shkurtit, pasqyron këtë proces, pasi konfliktit fizik i parapriu një luftë propagandistike, thuhet në raport.

Kina, që është në vendin 175-të, një nga regjimet autokratike më represive në botë, thuhet më tej, përdor arsenalin e saj legjislativ për të kufizuar popullsinë e saj dhe për ta shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, veçanërisht popullsinë e Hong Kongut i cili ka rënë ndjeshëm në renditjen e tij në treguesin e lirisë së shtypit duke u radhitur në vendin e 148-të.

Përplasjet midis “blloqeve” po rriten, thuhet në raport, siç shihet ajo midis Indisë së nacionalistit Narendra Modi (që radhitet 150-ta) dhe Pakistanit (i 157-ti). Mungesa e lirisë së shtypit në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë në konfliktin midis Izraelit (në vendin e 86-të) dhe Palestinës (në vendin e 170-të) dhe shteteve arabe

Sipas organizatës, polarizimi i medias po ushqen dhe po forcon ndarjet e brendshme sociale në shoqëritë demokratike si Shtetet e Bashkuara, që radhiten në vendin e 42-të, pavarësisht zgjedhjes së presidentit Joe Biden.

Rritja e tensionit social dhe politik po nxitet nga mediat sociale dhe mediat e reja veçanërisht në Francë, e cila është e 26-ta. Shtypja e mediave të pavarura po kontribuon në një polarizim të mprehtë në “demokracitë joliberale” si Polonia, e cila radhitet e 66-ta, ku autoritetet kanë forcuar kontrollin e tyre mbi transmetimin publik dhe strategjinë e tyre për “ri-polonizimin” e mediave private.

Treshja e vendeve nordike që radhitet në krye të treguesit, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, vazhdon të shërbejë si një model demokratik ku lulëzon liria e shtypit.

Situata është cilësuar si “shumë e keqe” në një numër rekord prej 28 vendesh. Të dhjetë vendet më të këqija në botë për lirinë e shtypit përfshijnë, Sirinë, Irakun Kubën, Vietnamin, Mianmarin, Kinën, Turkmenistanin, Iranin, Eritrenë dhe Korenë e Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA