Lehtësimi i mëtejshëm i masave të pandemisë në Greqi ka kthyer buzëqeshjen në sektorin e turizmit dhe hotelerisë që përfshin edhe restorantet e baret.
Prej 1 Majit Autoriteti i aviacionit Civil të Greqisë njoftoi se hoqi të gjitha rregullat e COVID-19 për fluturimet ndërkombëtare dhe të brendshme, përveç mbajtjes së maskave gjatë fluturimeve dhe në aeroporte.
Ndërsa më parë udhëtarëve edhe në porte e pika kufitare tokësore u kërkohej certifikata e vaksinimit, një test negativ ose një dokument shërimi nga koronavirusi, tashmë ky rregull nuk është në fuqi as për restorantet e baret ku mund të shkojnë edhe personat e pavaksinuar.
“Kemi 50 % rritje të klientëve , që nuk i kishim më parë. Turistët e huajt, i kishim dhe nuk mund të arrije në një përfundim, por me grekët pamë një rritje mbi 50% sot veçanërisht”, tha Georgios Kavadias, menaxher restoranti.
Për të gjitha bizneset pa dyshim lehtësimi i masave pritet ti jap një frymëmarrje të gjerë sektorit të turizmit që krijon gati një të katërtën e PBB,ndërsa në të punësohen gati 900.000 vetë. Gjithashtu janë pezulluar edhe kufizimet për numrin e klientëve në ambientet e brendshme.
“Shkuam në një nga kafenetë këtu për drekë, askush nuk na kërkoi diçka, shkuam në Akropol, nuk kishim nevojë të tregonim atje asgjë, thjesht të mbanim maska dhe pastaj edhe këtu ku jemi tani nuk na kërkuan diçka “, tha turistja amerikan nga Tennessee.
Por maskat ende kërkohen brenda ndërtesave në administratën shtetërore apo bizneset private si dhe tek mjetet e shërbimit publik dhe ekspertët rekomandojnë përdorimin e tyre edhe në vende të mbushura me njerëz.
Ndërkohë prej datës 3 maj kur hapen shkollat pas pushimeve të Pashkëve edhe nxënësve nuk do tu kërkohen më dy testet javore negative që i lejonin ata të hynin në klasat e mësimit,ndërsa ende janë të detyruar të mbajnë maskat në ambientet e brendshme të shkollave.
Top Channel