Turqia ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në manovrat ushtarake të NATO-s “Tiger Meet” në Greqi muajin që vjen, për arsye të “provokimeve,” njoftonin sot burime vendase të sigurisë.
Autoritetet turke thanë se i kanë njoftuar vendimin e tyre vendit pritës më 22 prill.
Mediat turke thonë se Athina ka shfrytëzuar mosmarrëveshjet e saj me Ankaranë për të bërë ndryshime në rregullat teknike të manovrave, të cilat kundërshtojnë ligjet ndërkombëtare. Meqënëse kërkesat e Turqisë nuk u respektuan, vendi është tërhequr nga pjesemarrja.
“Tiger Meet” (Takimi i tigrave) është iniciativa e NATO-s për “promovimin e solidaritetit mes forcave ajrore dhe mbahet në vende të ndryshme. Këtë vit stërvitja është programuar për datat 9 deri në 22 maj.
Ankara pritej të dërgonte gjuajtësit e saj F-16 në manovrat e bazës ajrore greke Araxos por zyrtarët konsideruan se teksti i përdorur në dokumentacionin teknik kishte mospërputhje dhe pala greke refuzoi ndryshimet.
Të tjera raportime nga Turqia sugjeronin se ishte vetë Greqia po nxiste mospjesëmarrjen e Turqisë në manovra, prej përplasjeve të fundit në lidhje me shkeljet e hapësirës ajrore.
Në një raport të rrjetit “Voice of America” thuhej se Greqia kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Turqisë në manovra pasi vendi nuk është “as një aleat, as një mik”.
Të enjten ministria e jashtme greke i shprehu protesta ambasadorit të Turqisë për “numrin e paprecedentë të shkelje të hapësirës ajrore nga Turqia” që sipas mediave vendase arrinin në më shumë se 100 brenda dy ditëve.
Top Channel