Në një bisedë me kryeministrin e porsaxgjedhur malazez, Dritan Abazovic, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen.
“Në qoftë se nuk punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, përparimi dhe demokracia e Malit të Zi do të vazhdojnë të vuajnë, ndërkaq anëtarësimi në BE do të mbetet vetëm në nivelin e aspiratave”, ka thënë Donfried. Vizita e zyrtares së lartë amerikane në Podgoricë u organizua në ditën e parë të punës së Qeverisë së re të Malit të Zi, e cila u zgjodh në seancën e Kuvendit, më 28 prill. Donfried, siç u njoftua në llogarinë Twitter të Ambasadës amerikane në Podgoricë, tha se Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me Qeverinë për të siguruar përparimin e Malit të Zi në rrugën euroatlantike, duke përfshirë përshpejtimin e anëtarësimit në BE, fuqizimin e anëtarësimit në NATO dhe promovimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse dhe civile.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic tha se në fokus janë shteti i së drejtës, bashkëpunimin rajonal dhe investimet. Gjatë bisedës me kryetaren e re të zgjedhur të Kuvendit të Malit të Zi, Donfried tha se pritet që të gjithë deputetët të marrin pjesë plotësisht në punën e Kuvendit, për të zgjidhur çështjet e vështira:
“Përfshirë përmirësimin e ekonomisë, luftën kundër korrupsionit dhe thirrjen e Rusisë në përgjegjësi për luftën brutale kundër Ukrainës”. Ish-qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq miratoi sanksione ndaj Rusisë në fillim të prillit, me të cilat ngrihen pronat dhe burimet ekonomike të disa qytetarëve dhe kompanive ruse në Mal të Zi dhe ndalohet puna e mediave qeveritare ruse, por nuk i zbatoi ato. Me vizitën e tyre në Mal të Zi, Donfried dhe Escobar përfundojnë vizitën e tyre pesëditore në Ballkanin Perëndimor, e cila filloi të hënën në Kosovë, më pas në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.
Top Channel