Një sherif në Florida, SHBA u detyrua të bëjë një arrestim të dhimbshëm gjatë një operacioni për kapjen e shpërndarëve vendas të metamfetaminës, pasi mes tyre ishte dhe bija e tij.
Sherifi i kontesë Franklin, A.J. “Tony” Smith tha për rrjetin Washington Post se u shokua kur emri i bijës së tij 38-vjeçare Kristen Kent rezultoi si furnizuesja me drogë e një prej të arrestuarve.
“Si, i thashë, bija ime? dhe ai m’u përgjigj ‘po zotëri,’” tha sherifi për të përditshmen.
Kështu qe megjithë tronditjen, ai ngriti një grackë për të kapur të bijën, nënë e tre fëmijëve, teksa shpërndante një sasi metamfetamine. Dhe rrjedhimsisht ajo u arrestua javës që shkoi për trafik metamfetamine dhe kokaine.
“Ndjehesha shumë keq për këtë, por e kuptova se sasia e drogës që po shpërndante nuk ishte e vogël dhe duhej ndaluar. Nuk ndjehesha fare mirë por ishte diçka që duhej bërë”, tregon ai.
Pas ndalimit të bijës së tij dhe fotos së saj me veshjet e paraburgimit, burri komentonte: “Droga nuk bën dallime as me ty as me mua, askush nuk është imun apo i përjashtuar”.
Sherifi tha më tej se besonte se bija e tij kishte hequr dorë me pare nga zakoni i varësisë, pas një periudhe rehabilitimi që kishte kryer”.
“Prandaj dhe ishte shokuese për mua,” tha ai për Washington Post, duke shtuar se telashet e të bijës e bënin më të vendosur të ndalonte abuzimin me drogat.
Top Channel