Bizneset shqiptare rritën volumin e eksportit dhe importit të mallrave nga Durrësi gjatë muajve të parë të këtij viti. Kromi dhe çimento janë në krye të listës së eksporteve, ndërsa materialet e ndërtimit, melamine dhe hekuri, si dhe gruri vijojnë të kryesojnë prej vitesh mallrat e importuara.
Statistikat e portit më të madh në vend, atij të Durrësit, tregojnë se përpunimi i mallrave në 3-mujorin e parë të vitit 2022 është rritur me 7 përqind, ndërsa rritjen më të ndjeshme e kanë pasur eksportet me 40 % më shumë, ose 98,310 tonë mallra më shumë të eksportuara, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Në përpunimin e mallrave, muaji më i mbarë ka qenë marsi, që shënoi 44 % më shumë, ose 101 mijë tonë mallra më shumë se marsi i vitit 2021.
Gjatë periudhës janar-mars në portin e Durrësit janë përpunuar 933, 895 tonë mallra nga anijet dhe tragetet që kanë transportuar ato në rrugë detare. Statistikat zyrtare tregojnë se ka pasur rritje edhe në numrin e pasagjerëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë me tragete nëpërmjet linjave detare që lidhin Durrësin me portet italiane.
Heqja e pjesshme e kufizimeve anti-covid që në muajt e parë të këtij viti solli shtim të numrit të udhëtarëve mes dy vendeve. Me tragete kanë udhëtuar 110 mijë pasagjerë dhe mbi 42 mijë vetura, trajlera dhe kamionë mallrash, shifra këto të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, pasqyrojnë një rritje prej 27 %, ose 21,791 pasagjerë më shumë.
Top Channel