Qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë/ Donfried: Ishte në anën e duhur në fillim, i bëjmë thirrje të përputhet me BE dhe SHBA

29/04/2022 18:42

Qëndrimi i Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, duket se shihet si një rrezik nga SHBA-ja por jo i përmasave të mëdha pasi qëndrimet fillestare të saj ishin pro Ukrainës.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, u shpreh se Serbia ka votuar gjithmonë pro vendimeve të marra kundër Rusisë dhe ky është një përparim i madh duke parë rrjedhën e historisë mes këtyre dy shteteve. Ajo theksoi se pjesa më e madhe e botës është kundër Rusisë dhe kjo është diçka që duhet vlerësuar por i bëri thirrje Serbisë që të përputhet me idetë europiane.

Në lidhje me blerjen e armëve nga Serbia të Rusisë, Donfried tha se Rusia na ka treguar një anë që të gjithë shpresonim që të mos ekzistonte dhe  të gjithë jemi zhgënjyer. Për sa i përket Kinës, ajo tha se ka marrë një vendi strategjik për të qenë aleate me Rusinë.

Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Më lejoni të filloj duke thënë se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet. Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia.

Përsa u takon sanksioneve, siç e përmenda, Shtetet e Bashkuara besojnë se ështe e rëndësishme t’i imponohen kosto Vladimir Putinit. Veprimet që po ndërmerr ai, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur. Dhe do të theksoja këtu se ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në frontin e sanksioneve, koordinimi në këtë drejtim, është një shembull për t’u shënuar i bashkëpunimit tonë.

Dua të theksoj gjithashtu se paketa e reagimit përfshin sanksione dhe kontrolle për eksportin dhe mendoj se këto kontrolle për eksportet janë gjithashtu të rëndësishme.  Dua të theksoj se ky koalicion që qëndron me forcë kundër veprimeve brutale të Rusisë përfshin jo vetëm aleatët dhe partnerët tanë evropianë, por edhe aleatët dhe partnerët tanë në Azi. Dhe mendoj se fakti që një pjesë e madhe e botës po i del kundër, ka një rëndësi të madhe.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje: A mendoni se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi dhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan?

Karen Donfried: Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte.

Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t’i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB.

Kina, besoj se ka marrë një vendim strategjik për të qenë aleate me Rusinë.

Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA