Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Karen Donfried preferoi të eci në këmbë drejt kryeministrisë përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
E shoqëruar nga i dërguari special i DASH për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar dhe ambasadorja Yuri Kim, ecën po të njëjtën rrugë nga ku nesër delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD do ti drejtohen pallatit të kongreseve, për të avancuar marrjen e timonit të PD nga Sali Berisha, i cili prej Majit 2021 është shpallur ‘Non Grata’ nga Antony Blinken shefi i Karen Donfried.
E ndërsa qëndrimi amerikan për Berishën është i qartë si kristali, zyrja e lartë amerikane Karen Donfried ngjiti shkallët e kryeministrisë ku qëndroi 60 minuta me kryeministrin Edi Rama.
Pjesë e delegacionit amerikan ishin edhe dy ushtarakë, gjë e cila lë të kuptohet se në këtë takim me Ramën është folur edhe për çështje të sigurisë.
Kryeministri nuk e priti cicërimën e Twitterit të Yuri Kim, për të treguar se çfarë ishte biseduar. Preferoi Facebook të zbulonte temat e bisedës.
“Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur. Konsideratat e Ndihmës Sekretares për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin tonë ishin mbresëlënëse”.
Vizitës në Tiranë të Karen Donfried, i parapriu të enjtën një deklaratë e kryeministrit Rama për integrim nga ku ai shpresonte shumë që amerikanët të zgjonin nga gjumi partnerët europianë e të vijonin me zgjerimin.
“Kemi një sinergji të plotë edhe Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre nëpërmjet sigurisht figurave të tyre përkatëse, janë në një proces për të shtyrë përpara çeljen e negociatave zyrtarisht ër Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një nga gjërat, për të mos folur për shumë aspekte të tjera.”
Kjo sinergji amerikane u dëshmua pak më vonë kur Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Karen Donfried në Tiranë takoi me komisionerin e zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi. Për këtë takim Ambasada amerikane thotë:
“Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent. Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian.”
Top Channel