Bullgaria mund të zëvendësojë të gjithë furnizimin e saj me gaz rus nga burime të tjera dhe nuk do të përballet me mungesë gazi në dimrin e ardhshëm, tha të enjten zëvendëskryeministri Assen Vasilev.
Gazprom i Rusisë ndërpreu furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë të mërkurën për shkak të refuzimit të pagesës në rubla.
Bullgaria konsumon rreth 3 miliardë metra kub gaz në vit, nga të cilat mbi 90 për qind vjen nga Rusia.
“Ne mund të zëvendësojmë të gjithë furnizimin me gaz rus me furnizimin me gaz nga korridori jugor i gazit, plus dërgesat e LNG në Greqi dhe Turqi dhe ky plan po zbatohet tani,” u tha gazetarëve në Bruksel Vassilev, i cili është gjithashtu ministër i Financave.
“Nuk do të ketë problem furnizimi edhe në dimër”, tha ai.
Gjiganti i energjisë ruse, Gazprom, kompani që kontrollohet nga shteti, tha se do të ndalojë furnizimet për në Poloni dhe Bullgari, sepse këto dy shtete po refuzojnë që të paguajnë me rubla për gazin rus, ashtu siç ka kërkuar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Liderët evropianë thonë se në kontratat për gazin rus thuhet se pagesa bëhet në euro ose dollarë dhe njëra palë nuk mund ta ndryshojë çështjen e pagesës. Polonia ka ndërmarrë hapa afatgjatë për të mbrojtur veten nga ndalimi i furnizimeve ruse, teksa ka ndërtuar një terminal për import të gazit të lëngshëm që transportohet përmes anijeve dhe kishte planifikuar që në fund të këtij viti të ndërpriste furnizimet nga Gazpromi. Bullgaria, në anën tjetër, thotë se tash për tash ka mjaftueshëm gaz./REL
Top Channel