Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Polonia dhe Bullgaria po marrin gaz nga vendet e BE-së.
Kjo vjen pasi gjiganti rus i energjisë Gazprom ndërpreu furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë ditën e sotme, pasi të dy vendet refuzuan të paguanin në rubla.
Von der Leyen në një deklaratë e konsideroi këtë vendim si një provokim nga Kremlini, njëkohësisht akuzoi Moskën se ka përdorur gazin për shantazh.
“Kjo është diçka për të cilën Komisioni Evropian është përgatitur, në koordinim dhe solidaritet të ngushtë me Shtetet Anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë. Përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme, e bashkuar dhe e koordinuar. Së pari, ne do të sigurojmë që vendimi i Gazprom të ketë ndikimin më të vogël të mundshëm tek konsumatorët evropianë. Sot, Shtetet Anëtare u takuan në Grupin e Koordinimit të Gazit. Polonia dhe Bullgaria na informuan për situatën. Si Polonia ashtu edhe Bullgaria tani po marrin gaz nga fqinjët e tyre të BE-së”, tha Ursula von der Leyen .
Zyrtarja theksoi nevojën për partnerë të besueshëm energjetik, duke premtuar fundin e epokës së karburanteve fosile ruse në Evropë.
Top Channel