Nga Tirana në Ferizaj/ Veliaj takon kryebashkiakun kosovar për një kalendar të përbashkët aktivitetesh

27/04/2022 15:01

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u takua me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me të cilin diskutoi mbi hartimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve për të rinjtë e dy qyteteve në fushën e inovacionit, artit, kulturës.

Veliaj u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për të marrë vendime të drejta për të ardhmen e qytetit.

Veliaj: Pyetja për ne që drejtojmë qytetet është: A po punojmë çdo ditë, jo për të qenë më popullor, por për të marrë vendime të drejta, që ndoshta do jenë popullore? Sot mund të duken çudi për dikë që është mësuar me të vjetrën dhe tradicionalen, ama, nesër nëse fëmijët tanë do mësojnë këto kurse, e nëse qytetet tona do modernizohen, e nëse ekonomitë tona do të fuqizohen, do të thotë se kemi marrë vendimet e duhura”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Tirana dhe Ferizaj mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, për të projektuar 30 vitet e ardhshme.

Veliaj: Ajo që i dallon qytetet progresive është aftësia për të parë të ardhmen. Më bëhet vërtet zemra mal teksa shikoj që shumë projekte i kemi të ngjashme dhe më shumë se sa të aspirojmë të mësojmë nga vende shumë larg nesh, duhet të mësojmë nga njëri-tjetri. Shikoj një pafundësi mundësish ku Tirana dhe Ferizaj mund të bashkëpunojnë, siç mund të jetë fusha e kulturës apo orientimi i shkollave drejt industrive të reja. Shoh që kemi një të ardhme të ndritur, por duhet ta fillojmë sot. Unë besoj se dita më e rëndësishme për të projektuar 20-30 vitet e ardhshme është tani”, deklaroi Veliaj.

Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Ferizajt deklaroi se ky takim është një bazë dhe siguri e jashtëzakonshme për të nesërmen. Ne jemi model të transformimeve në qytetet tona. Konsideroj se duhet të bëjmë edhe transformimin e marrëdhënieve tona, që të jenë në koherencë të plotë. Rinia nuk pret, e ardhmja jonë nuk pret – E nesërmja lind sot! Prandaj, duhet punuar sot që të ndërtojmë atë që e kemi borxh ndaj të rinjve dhe të rejave. Jam shumë i lumtur që Tirana është pikërisht Kryeqyteti Europian i Rinisë, siç e thamë edhe për kombin, i cili është më i riu në Europë, me moshën më të re. Unë besoj se ky takim, edhe së bashku, edhe me kryetarët e tjerë të komunave të Republikës së Kosovës, por edhe të bashkive këtu, do të jenë një bazë e fuqishme dhe një siguri e jashtëzakonshme që padyshim, se Shqipëria dhe Kosova do të zënë vendin e merituar”, deklaroi Aliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA