Në 23 tetor të vitit 2009 “Hijet e natës” realizojnë një prej grabitjeve më të bujshme.
Më tepër se nga vlera, ngjarja tërhoqi vëmendje pasi bëhej fjalë për grabitjen e Ambasadës daneze, një ngjarje ku sipas dosjes janë përfshirë i ndjeri Saimir Kuçi, Elton Lika, Sulejman Bakalli, Dritan Duka dhe Taulant Mataj.
“Është e tmerrshme, po…janë grupi që grabitën Ambasadën Daneze që lë një njollë për isntitucionet e sigurisë është shqetësuese” u shpreh eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla
Ata kanë arritur të futen në zyrat e ambasadës nga një pallat ngjitur me godinën e përfaqësisë diplomatike në rrugën “Nikolla Tupe”. Grabitësit kanë përdorur një shkallë që shërbeu si urë lidhëse me ballkonin e ambasadës ku u grabitën 100 mijë lekë, dy lap-topë dhe disa pulla vizash.
Siç do të rezultonte më vonë, këto pulla janë përdorur për falsifikimin e vizave daneze. Pas një hetimi ndërkombëtar u zbuluan të paktën 4 falsifikime që përkonin me numrat e serive të pullave të grabitura në Tiranë.
“Numri i madh i grabitjeve për kohë të shkurtër, 11-12 grabitje për 14-15 muaj tregon që ata kishin arritur infrastrukturë që po u funskiuononte” u shpreh eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla.
Grupi hetimor identifikoi në tarracë gjurmën me baltë nga këpuca e të pandehurit Taulant Mataj pas ekspertimit. Ndërkohë, qelizat e antenave celulare zbuluan bashkëpunëtorët e tjerë. Këto janë kryqëzuar edhe me përgjimet mes pjesëtarëve të grupit dhe dëshminë e Admir Burrit.
Top Channel