Tirana e këtij sezoni ka treguar dominancën e saj ndaj të gjithë kundërshtarëve të kampionatit dhe jo më kot është e shkëputur në krye të klasifikimit me 15 pikë larg ndjekësve më të afërt të Laçit ndërsa kur kanë mbetur edhe gjashtë javë, në ndeshjen e radhës pikërisht ndaj kurbinasve do t’i mjaftonte një pikë për të festuar titullin numër 26 në historinë e kryeqytetasve.
Megjithatë, ka një skuadër në Abissnet Superiore e cila i ka hapur shumë punë të besuarve të trajnerit Orges Shehi dhe madje është e vetmja e cila ia ka dalë që në këtë kampionat të ketë një bilanc pozitiv ndaj bardhebluve.
Fjala është për Kastriotin, ekipin më në formë aktualisht në elitën e futbollit shqiptar. Në katër përballjet e këtij sezoni me Kastriotin, Tirana ka fituar vetëm një herë ndërsa ka barazuar një, dhe ka humbur dy ndeshje. Në këtë formë, krutanët kanë fituar shtatë pikë dhe bardheblutë i kanë marrë vetëm katër nga 12 pikë të mundshme.
Këtë bilanc negativ, Tirana nuk e ka me asnjë kundërshtar tjetër të këtij sezoni, madje edhe nëse humbasin në gjashtë javët e mbetura me rivalët që i rezervon kalendari, sërish nuk do të ishin inferior në shifra me ta, ashtu siç ndodh në rastin e Kastriotit. Mesa duket, Kastrioti ia ka “marrë dorën” Tiranës dhe ashtu siç tha edhe trajneri Orges Shehi, po kthehet në një “mace të zezë” për bardheblutë.
Top Channel