Macron fiton zgjedhjet: Do bashkoj Francën/ Zemour: Emri Le Pen mposhtet 8 herë! 

25/04/2022 11:55

Emmanuel Macron siguroi edhe pesë vite të tjera në krye të shtetit francez pas një fitoreje bindëse ndaj rivales Marine Le Pen.

Macron fitoi me 58.55% me 41.45%, një diferencë më e madhe nga sa pritej. Lideri i qendrës u tha mbështetësve të ngazëllyer në këmbët e Kullës Eifel se tani zgjedhjet u mbyllën dhe se ai do të jetë një “president për të gjithë”, duke përcjell një mesazh bashkimi e uniteti.

Macron: Ne duhet miqtë e mi, të jemi të butë e të respektueshëm, sepse vendi ynë është plot me dyshime, me kaq shumë ndasi, ndaj na duhet të jemi të fortë, por askush nuk do të lihet pas. 

Macron bëhet kështu presidenti parë në detyrë i Francës në 20 vjet që rizgjidhet në këtë post. Pavarësisht humbjes, Le Pen, 53 vjeç, tha se pjesa e saj e konsiderueshme e votës ende në vetvete shënonte një fitore.

Marine le Pen: Falënderimet e mia shkojnë në mënyrë të veçantë për bashkatdhetarët tanë në krahina dhe fshatra, por edhe në trevat e huaja, të cilët më ndihmuan të kalojë në raundin e dytë me një forcë të jashtëzakonshme që më nderon dhe më prek sinqerisht. Nuk kam asnjë mëri sot. Jemi varrosur një mijë herë dhe një mijë herë historia ka dëshmuar se u gabuan ata që parashikuan apo uruan vdekjen tonë.  

Rivali i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour megjithatë, e vuri gishtin në plagë duke theksuar se Marine dështoi pikërisht ashtu dhe i ati përpara saj; “Kjo është hera e tetë që emri le Pen goditet nga disfata”, tha ai.

Marine Le Pen mori drejtimin e partisë së themeluar nga babai i saj Jean-Marie Le Pen në 2011 në një përpjekje për ta bërë atë më të pranueshme e të aftë të fitonte zgjedhjet. Ajo vetë siguroi më shumë se 13 milionë vota të dielën, me një platform që parashikonte ulje të taksave për të menaxhuar koston e lartë të jetesës, ndalimin e mbajtjes së shamisë myslimane në publik dhe një referendum mbi kontrollin e emigracionit.

Kreu i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon, i cili u mund ngushtësisht nga Le Pen në raundin e parë të votimit dy javë më parë, ishte i ashpër me të dy kandidatët. Edhe pse e konsideroi lajm të mirë që Franca kishte refuzuar t`i besonte drejtimin e saj Le Pen, ai tha se Macron ishte zgjedhur në një mënyrë më të keqe se çdo president tjetër. “Ai noton në një oqean abstenimesh dhe fletëvotimesh të zbrazëta dhe të prishura,” ishte komenti i Melenchon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA