Sot dy muaj luftë! Kievi nuk dorëzohet para Rusisë/ Mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur dhe qytete të kthyera në gërmadha

24/04/2022 08:43

Në vetëm tetë javë, Rusia e ka kthyer kohën pas, duke e detyruar Ukrainën të rijetojë tmerret më të këqija të shekullit të 20-të.

Mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur, qytete të kthyera në gërmadha në dy muaj luftë.

Forcat pushtuese janë të akuzuara për krime lufte pasi bombarduan maternitetet dhe civilët e fshehur në një teatër. Rrethime urbane, varre masive, bisedime të pafrytshme paqeje.

E megjithatë Rusia nuk ka arritur të pushtojë Kievin dhe të rrëzojë qeverinë. Forcat ukrainase kanë ngritur një mbrojtje të fortë dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka treguar lidership të madh, shkruan BBC.

Por ndërsa forcat ruse rigrupohen në lindje, a mund të rezistojë Ukraina? A munden fuqitë perëndimore të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake dhe të qëndrojnë të bashkuara rreth qëllimeve të përbashkëta të luftës?

Apo koha, lodhja dhe pakësimi i rezervave të municioneve do ta bëjnë dëmin e tyre? Kjo luftë ka dy muaj, por mund të ketë edhe shumë të tjera.

Çfarë ka ndodhur gjatë orëve të fundit?

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të vizitojnë Kievin sot, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymr Zelensky. Ata do të ishin zyrtarët e parë të lartë amerikanë që do të vizitonin që nga pushtimi. Uashingtoni nuk ka komentuar ende për vizitën.

Në një konferencë për shtyp të shtunën në mbrëmje, Zelensky paralajmëroi se Ukraina do të braktiste bisedimet e paqes me Moskën nëse Rusia vret ndonjë nga mbrojtësit e fundit të Mariupolit ose nëse Rusia mban një referendum për pavarësinë në qytetin e pushtuar Kherson.

Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se Rusia vazhdon të sulmojë njësitë e saj në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku thuhet se janë strehuar qindra njerëz. 

Të paktën tetë civilë janë vrarë në Odesa pasi bombardimet ruse goditën një ndërtesë banimi

 Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të shkojë në Turqi të hënën përpara se të vizitojë Moskën dhe Ukrainën më vonë gjatë javës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA