Operacioni antidrogë që çoi 101 persona nën hetim në Korçë nxori në dritë një të vërtetë tronditëse. Në Shqipëri nga trafikantët po shitet një drogë sintetike me pasoja fatale e cila në gjuhën e përdoruesve quhet Bonzai ndërsa shkencërisht njihet si kanabisi sintetik.
Bonzai është një drogë e re në trajtën e një bime të tharë e cila spërkatet me kimikate të rrezikshme për të cilat edhe shkencërisht dihet shumë pak.
“Bonzai ngatërrohet me kanabisin por nuk është e njëjta gjë. Bima e thatë spërkatet me kimikate të rrezikshme të prodhuara nga njeriu në laborator dhe ka efekte shumë të dëmshme….’ tha Toksikologia Amarda Gashi.
Sipas mjekes toksikologe efektet e Bonzait janë shumë të rrezikshme që ndikojnë në shëndetin mendor dhe fizik, madje mund të shkaktojnë dhe vdekjen.
:Shkakton ankth i çon përdoruesit drejt vetvrasjes, pafunizim të zemrës me gjak, dëmtim në veshka, vdekje”- shtoi Gashi.
Mjekja tregon se gjatë muajve të fundit në repartin e toksikologjisë kanë mbërritur disa pacientë që dyshohet se kanë qenë përdorues të bonzait por kjo nuk mund të vërtetohet pasi toksinat e kësaj droge të re nuk kapen nga laboratorët.
Bonzai ka joshur trafikantët për ta shpërndarë mes përdoruesve pasi është një drogë e re që kushton shumë më lirë se heroina dhe pasojat vdekjeprurëse të saj nuk njihen nga shumica e përdoruesve të cilët gënjehen nga dukja dhe mendojnë se po tymosin vetëm hashashin e zakonshem.
Top Channel