Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian, thanë senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Murphy, pas takimeve në Prishtinë me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës.
Në delegacionin e senatorëve amerikanë, që vizituan Kosovën pas një ndalese më parë në Serbi e Bosnje Hercegovinë, ishte edhe Thom Tillis. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, senatorja Jeanne Shaheen tha se me këtë vizitë po tregohet mbështetja dypartiake e Senatit amerikan.
“Mezi presim të mbështesim aspiratat tuaja për të qenë pjesë e NATO-s. Senatori Tillis dhe unë jemi bashkëkryesues të grupit vëzhgues për NATO dhe ne punojmë fuqishëm për të mbështetur përpjekjet në Kongresin amerikan të asaj që po bën NATO-ja dhe për të mbështetur aspiratat e shteteve si Kosova që janë të interesuara për t’iu bashkuar NATO-s. Gjithashtu mbështesim aspiratat tuaja të vazhdueshme për të lëvizur drejt BE-së dhe për partneritetin tuaj me Perëndimin.”– tha Shaheen
Kosova së fundmi ka shtuar kërkesat për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s, teksa Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë për shkak të nisjes së paprovokuar të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Senatorja Shaheen, tha se SHBA-ja ndan shqetësimet e Kosovës se ky konflikt mund të prekë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.. Nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe duam që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Jemi këtu me këtë mesazh dhe për miqësinë që kemi”, tha Shaheen.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ka informuar senatorët amerikanë për qëllimet e Serbisë, që sipas janë që të tërheqin rajonin e Ballkanit “drejt së kaluarës”.
Pas takimit me presidenten Osmani, senatorët amerikanë janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.Senatori amerikan, Chris Murphy, po ashtu përsëriti qëndrimin se SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së. Murphy po ashtu tha se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë përparim në dialogun, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Top Channel