Ministria ruse e mbrojtjes tha sot pasdite se është e gatshme për armëpushimin humanitar në impjantin e çelikut Azovstal në Mariupol, që është bastioni i fundit i Kievit në portin strategjik, me kusht që ushtarët ukrainas të dorëzohen.
Dje ushtria ruse tha se kishte marrë kontrollin e pjesës strategjike lindore të qytetit, përveç zonës gjigante industriale të Azovstal, shkruan rrjeti DefensePost.
Presidenti Putin ka urdhëruar bllokimin e impjantit, ku bashkë me trupat ukrainase raportohet se strehohen qindra civilë.
“Ne deklarojmë përsëri se Rusia është e gatshme në çdo moment të nisë regjimin e qetësisë e të shpallë pauzën humanitare për evakuimin e civilëve”, thuhej në deklaratën e ministrisë së mbrojtjes.
Në të shtohet se armëpushimi duhet të nis të ngritjen e flamurëve të bardhë nga forcat ukrainase “në të gjithë perimetrin, ose në zona të caktuara të Azovstal.”
“Nëse sinjale të tilla gjenden në zona të impjantit metalurgjik të Azovstal, forcat e armatosura ruse do të ndalojnë menjëherë luftimet për të siguruar dalje të sigurtë”, shtohej në deklaratë.
Sipas ministrisë, civilët do të shoqërohen në territore ose të kontrolluara nga Rusia, ose të kontrolluara nga Ukraina, sipas zgjedhjes së tyre.
Ushtarëve ukrainas të dorëzuar “u garantohet” jeta, thuhet më tej.
“Kjo deklaratë do t’i komunikohet formacioneve ukrainase në Azovstal në të gjitha kanalet radio çdo 30 minuta,” tha ministria.
Top Channel