Irani tha sot se nuk ka hequr dorë nga kauza e hakmarrjes për vrasjen e gjeneralit Kassem Soleimani i cili vdiq në një sulm me dron në Irak në 2020, edhe nëse Uashingtoni ofron të heqë sanksionet.
Komandanti i Gardës Revolucionare Alireza Tangsiri tha në një deklaratë:
“Armiku vijon të dërgojë mesazhe se do të ketë tolerime apo heqje të disa sanksioneve nëse heqim dorë nga hakmarrja për Soleimanin. Por kjo është vetëm fantazi. Lideri suprem ka theksuar nevojën për hakmarrje, e cila është e paevitueshme dhe ne do të zgjedhim kohën dhe vendin për të”.
Soleimani u vra më 3 janar 2020 në një sulm me dron me urdhër të presidentit të atëhershëm Donald Trump. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar me raketa bazat amerikane në Irak si dhe duke sanksionuar zyrtaret që besoheshin përgjegjës për aktin.
Në përvjetorin e dytë të vdekjes së Soleimani, presidenti Ebrahim Raisi tha se Irani do të marrë hak, përveç rastit nëse përgjegjësit do të jenë para gjykatës ndërkombëtare, cka mes te tjereve i referohet dhe ish-presidentit Donald Trump.
Aktualisht Teherani e Uashingtoni kanë tentuar të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila kufizon programin bërthamor të vendit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Ish presidenti Donald Trump u largua nga marrëveshja në vitin 2018, me akuzat se Irani po e shkelte atë, dhe rivendosi sanksionet e ashpra në fuqi.
Top Channel