Presidenti francez Emmanuel Macron kapërceu një pengesë të madhe në rrugën e rizgjedhjes me një qëndrim agresiv në debatin televiziv kundër kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, që sipas sondazheve arriti të bindë shumicën e shikuesve të votojnë për të, edhe pse ai ende shihet si arrogant.
Ndër pikat që i dhanë Macronit epërsi ishte argumenti për lidhjet e Le Penit me Rusinë dhe për t’u hequr grave muslimane të drejtën për të mbajtur shamitë e kokës në publik.
Në përballjen e tyre të vetme përpara se elektorati të thotë fjalën e tij në balotazhin e së dielës, presidenti Macron u shfaq mjaft i vendosur.
Ai argumentoi se një kredi që partia e Le Penit mori në vitin 2014 nga një bankë çeko-ruse e vë atë në një pozitë të papërshtatshme për t’u përballur me Moskën.
Emmanuel Macron tha gjithashtu se planet e kandidates kundër imigracionit për të ndaluar gratë muslimane në Francë të mbajnë shami në publik do të shkaktonin “luftë civile” në vendin që ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.
Marine Le Pen, nga ana tjetër, u përpoq të tërhiqte votuesit që po luftojnë me çmimet në rritje mes pasojave të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ajo tha se ulja e kostos së jetesës do të ishte përparësia e saj nëse zgjidhet si presidentja e parë grua e Francës ndërsa e portretizoi veten si kandidate për votuesit që nuk mund të përballojnë jetesën.
Zakonisht një oratore e fuqishëm, Le Pen herë pas here u duk se e kishte të vështirë të gjente fjalët e përshtatshme dhe nuk kishte rrjedhshmëri në përgjigje.
Në disa raste Le Penit i mungonte edhe ashpërsia e saj karakteristike.
Le Pen ka kërkuar në këtë fushatë të zbusë imazhin e saj dhe të heqë etiketimin si ekstremiste, siç është shprehur prej kohe kritika për të dhe partinë e saj.
Në kontrast Macroni u shfaq veçanërisht i sigurt në vetvete, duke kaluar ndonjëherë në arrogancë – një tipar që kritikët e tij e kanë theksuar vazhdimisht.
Ai qëndronte ulur me krahët e kryqëzuar teksa dëgjonte Le Pen të fliste.
Isabelle Veyrat-Masson analiste në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore dhe e specializuar në komunikimin politik dhe median, thotë se Macroni ishte më i guximshëm dhe se Le Peni ishte më pak agresive se pesë vjet më parë.
“M’u krijua ideja se Marine Le Pen kishte marrë qetësues, ajo po fliste aq ngadalë, sa që të krijonte përshtypjen se kishte disbalancë mes zërit dhe figurëss. Macroni foli shumë më tepër se ajo, sepse foli për më shumë tema, kurse Le Peni foli ngadalë dhe shumë butë, duke krijuar përshtypjen se mikrofonat nuk ishin vendosur siç duhet. Ishte një ndjenjë e çuditshme. Por ndoshta ky ishte synimi i saj dhe ka të ngjarë të ketë fituar diçka, sepse nuk mund të akuzohej se ishte agresive, siç është cilësuar më parë. Por ajo humbi pikë në debat për mungesë të shpirtit luftarak, agresivitetit, dhe të qënurit e pranishme”.
Sipas një sondazhi, rreth 59% e atyre që e ndoqën debatin thanë se Macroni ishte më bindës. Kjo sugjeron se përballja gati tre orëshe nuk do të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve, me Macronin që kryeson sipas të gjitha sondazheve të mëparshme.
Anketat e votuesve kanë treguar një zgjerim të epërsisë së Macronit ndaj Le Penit deri në 56% me 44%, që nga raundi i parë më 10 prill dhe analistët thonë se debati nuk ka gjasa të ndryshojë synimet e votimit në favor të Le Penit.
Top Channel