Sipas INSTAT fermat blegtorale janë pothuajse në përgjysmim, duke shënuar rekordet më negative.
Të dhënat e servirura nga Instat se blegtoria është duke u shfarosur.
Nëse në vitin 2015 kemi pasur tufa që në total arrinin deri 3 mln të imëta në shkallë vendi, në vitin 2020 kemi pasur rreth 2 mln të imëta dhe sot kemi zbritur në 1.8 milionë krerë. Po ashtu reduktim të ndjeshëm ka pasur edhe numri i gjedhëve. Sipas Instat nëse disa vite më parë kishim rreth 500 mijë gjedhë, në 2020, që janë edhe të dhënat e fundit, numërohen rrreth 360 mijë krerë.
“Fermerët dhe blegtorët po e braktisin tokën. Ka plot raste kur fermerët i kanë mbyllur stallat e tyre ose janë në process për ti mbylllur, e thënë ndryshe në vërtetë jemi në një lloj shfarosje sa i përket blegtorisë dhe lënies djerr të tokës” u shpreh eksperti, Ervin Resuli
Paradoksalisht, pas dështimit në Shqipëri, fermerët zgjedhin të emigrojnë në Greqi a vendet e tjera fqinje, dhe bëjnë të njëjtën punë që në Shqipëri i zhyti në borxhe. Si pasojë e rrudhjes së këtij sektori edhe qumështi e mishi që hidhet në treg ka pësuar rënie. Prodhimi i qumështit në vitin 2020 është 1,05 milionë tone, duke shënuar një rënie me rreth 9 % nga viti 2016 kur u prodhuan 1.16 mln ton qumësht.
Por sipas një raporti të Industrisë së përpunimit të qumështit, nga kjo sasi qumështi vetëm 119 mijë ton, ose 11% e totalit ka përfunduar në industrinë e përpunimit, duke shënuar një rënie drastike prej 14% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që në vendet e BE-së, kjo shifër është rreth 90%.
Po ashtu ky raport citon rendimentin e ulët të prodhimit të qumështit nga lopët, që në vendin tonë varion në 3028 kilogramë qumësht në vit për lopë, ndërsa në vendet e BE-së kjo mesatare është rreth 7346 kilogramë. Ky rendiment I ulët lidhet me kostot e larta. Si pasojë fermerët shqiptarë kanë ulur sasinë dhe cilësinë e ushqimit, duke mos menduar më për qumështin por të mendojnë vetëm e vetëm se si të shpëtojnë fermën.
Sasia e qumështit të përpunuar për konsum në Shqipëri është 16-17 mijë ton, ndërsa sasia e qumështit të importuar në vit, sipas statistikave të doganave është 11-12 mijë ton qumësht në vit. Qumështi i importuar zë rreth 75% të sasisë së atij të përpunuar në vend. Kjo përbën rreth 42% të qumështit total për konsum përgjatë vitit 2020.
Top Channel