30-vjeçari Elis Suçi është identifikuar si një prej grabitësve të filialit të postës shqiptare në Kamzë nga ku u morën 1.3 mln lekë.
Një foto është shkëputur nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonë pak sekonda pas grabitjes ku i riu largohet në këmbë me qesen e parave në duar, i maskuar me një kapele dhe me një maskë të zezë anti Covid në fytyrë.
Komisariatit nr 5 në Kamzë i janë dashur vetëm pak orë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Falë pamjeve të kamerave të sigurisë në zone si edhe të dhënave operative, policia identifikoi dy autorët, Elis Suçin dhe mikun e tij Algert Kurtin të cilët jetonin në një pallat pak metra larg filialit të postës. Policia mundi të vërë në pranga vetëm 20-vjeçarin Algert Kurti i cili tha hetuesve se grabitjen e kishte bërë me mikun e tij Elis Sulçin.
Hetimet zbuluan se ideator për grabitjen ishte 30-vjeçari Elis Suçi, i cili është me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjes dhe tashmë është shpallur në kërkim nga policia. 30-vjeçari ka vëzhguar postën kur aty dorëzoheshin paratë e pensioneve për banorët e zonës dhe ka ruajtur momentin kur në filial ka pasur vetëm punonjëset. Më pas, së bashku me mikun e tij, ka kryer grabitjen nën kërcënimin e një arme.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar celularin e të arrestuarit si edhe rrobat e përdorura nga ky i fundit në ngjarje por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të parave të vjedhura dhe të armës së zjarrit me të cilën u kanosën sportelistet e postës.
Top Channel