Elis Suçi që ende nuk është arrestuar është kapur nga kamerat e sigurisë teksa po largohej në Bulevardin Blu në Kamzë, pasi kreu vjedhjen në filialin e postës, së bashku me mikun e tij.
Në foton e siguruar për Top Channel nga gazetarja Dorjana Bezat, ai shihet teksa largohet me qesen me paratë e grabitura.
Suçi, person me precedent të mëparshëm penal mban vënë një kapelë të bardhë dhë një maskë anti Covid, teksa në dorë ka një qesë ku dyshohet se mund të jenë paratë e vjedhura.
Në skedarët e bluve rezulton se Suçi, në kërkim gjithashtu për grabitje të tjera në Tiranë, qëlloi me armë ndaj efektivëve të Policisë gjatë një aksioni për arrestimin e tij. Ngjarja u shënua në mars të po këtij viti në rrugën “Nënë Tereza” në Kamzë. Në momentin që e ka kuptuar që po e ndiqte policia, Suçi ka qëlluar me pistoletë dhe është larguar. Nga të shtënat fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Këtë mëngjes u arrestua Algert Kurti. Ai e njihte shumë mirë zonën, pasi jetonte pranë filialit të postës, në bulevardin blu.
Pas arrestimit ka deklaruar se e ka kryer grabitjen në bashkëpunim me shokun e tij Elis Suçi. Ka qenë ky i fundit, ai që ka vëzhguar mirë veprimtarinë e punonjëseve dhe klientëve në postë dhe kur ka parë se nuk ka asnjë klient, rreth orës 14:20 ka njoftuar shokun të vijë.
I maskuar me kapele dhe maskë anti Covid, Kurti kreu me shpejtësi vjedhjen e parave. Dy punonjëset e postës që u bënë dëshmitare të ngjarjes, i kanë thënë policisë se autori i ka kërcënuar me një pistoletë, të cilën e mbante në çantën e belit. Kurti ka thënë se do t’i vriste ato nëse nuk i jepnin shumën që kërkoi. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së postës, por edhe të bizneseve përreth.
Top Channel