Rreth 200,000 persona rrezikojnë të humbasin vendin e tyre të punës në kryeqytetin rus, Moskë, për shkak të sanksioneve të vendosura për pushtimin e Ukrainës, kështu tha kreu i qytetit, Sergei Sobyanin.
Me qindra kompani perëndimore kanë njoftuar tashmë se do të pezullojnë veprimtaritë e tyre në Rusi pasi Perëndimi vendosi një sërë sanksionesh kundër Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por deklarata e kryetarit të Moskës duket se nuk i bën përshtypje presidentit Vladimir Putin i cili thotë se lufta e sankssioneve të perëndimit ka dështuar.
Duke folur të hënën, në një dalje televizive Putin tha se Perëndimi “priste që të shqetësonte shpejt situatën financiaro-ekonomike të Rusisë, të provokonte panik në tregje dhe kolapsin e sistemit bankar, por kjo sipas tij nuk ka ndodhur.
Vendi jonë, tha ai, i ka rezistuar “presionit të paprecedentë” nga Perëndimi deri më tani. Por shifrat tregojnë të kundërtën. Sektori i shërbimeve të Rusisë ka pësuar rënien më të keqe të aktivitetit që nga goditja e pandemisë Covid-19 në 2020 pasi konsumatorët dhe bizneset anuluan porositë dhe pas sanksioneve gjendja u përkeqësua edhe më shumë.
Ekspertët parashikojnë se ndikimi më i madh ekonomik i sanksioneve perëndimore ende nuk është ndierë në Rusi dhe ata presin që brenda pak kohësh Moska të futet në recesion të thellë.
Top Channel