Ina Kozhuaka, 35-vjeçarja nga Tirana, tre vite më parë nisi studimet në degën e mjekësisë veterinare.
Për nënën e dy fëmijëve kjo do të jetë diploma e dytë.
“Shumë vite më parë ishte hapur një degë e re që ishte shkencat politike dhe në atë kohë më dukej më me shumë perspektive. Ndërsa shkenca mjekësore me dukej vite të shumtë studime kohë më e gjatë për të përfunduar dhe aplikuar profesionin”, thotë studentja.
Planet për të ardhmen kësaj here Ina i ka të qarta.
“Unë kam kafshë të miat personale të cilave dua t’u vij në ndihmë në momente të caktuara kur kanë nevojë. Por kafshët e fermës kanë një rëndësi të veçantë për shëndetin publik, dhe këtu merr kuptim titulli ynë si mjekë veterinerë”.
Por ndryshe nga Ina, të rinjtë nuk i duan profesionet e bujqësisë. Në auditorët e Universitet Bujqësor të Tiranës, çdo vit ka më pak studentë. Në vitin akademik 2017-2018 ky universitet hapi dyert për 9811 studentë, ndërsa këtë vit u regjistruan afërsisht 4000 studentë më pak. Por shifrat duken optimiste vetëm në fakultetin e veterinarisë.
“Ne kur e fillojmë vitin e parë kemi rreth 90 studentë, shikohet një rritje. Kjo pasi kanë kuptuar tregun e punës”, thotë Erinda Lika, zv.rektore në Universitetin Bujqësor.
Këtë vit asnjë maturant nuk zgjodhi të vazhdotë studimet për zeoteknik. Por kjo nuk është e vetmja degë që rrezikon të mbyllet.
“Kemi trend rënie veçanërisht në numrin e studentëve në degët agronomike. Regjistrimet e këtij viti janë 20 studentë në agronomi, 20 studentë në mbrojtjen e bimëve, 11 studentë në hortikulturë dhe agrobiologjia nuk ka pasur studentë”, shprehet Ilir Kristo, deklan në Fakultetin e Bujqësisë.
Bujqësia shqiptare nuk mund të përparojë në sasi dhe cilësi nëse ne vendin tonë do të mungojë agronomi, veterineri, zootekniku, apo specialisti në fushën e akuakulturës.
“Rreziku është i pamatshëm. Të gjithë flasin për agronomët, të gjithë flasin për sigurinë ushqimore, por siguria ushqimore është në fushë”.
Top Channel