Porti strategjik i Mairupolit nuk ka rënë ende u shpreh kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.
Edhe pse rusët prej gjashtë javësh kanë drejtuar të gjithë forcën e tyre luftarake në këtë zonë dhe kanë bërë thirrje që qyteti të dorëzohet për të shpëtuar jetët e ushtarëve, kryeministri u shpreh se rezistenca ukrainase do të vazhdojë deri në fund.
Ndërsa rezistenca vazhdon, rusët po synojnë tashmë që ta shkatërrojnë tërësisht qytetin, duke e kthyer në një fantazmë.
Presidenti Zelensky më herët është shprehur se do ndaloj të gjitha bisedimet me Rusinë nëse ushtarët në Mariupol vriten, por për Putin këto bisedime kishin arritur në pikën e vdekjes.
Duke bërë një përmbledhje të luftës, kryeministri ukrainas u shpreh se pavarësisht se disa qytete janë nën rrethim, vetëm një prej tyre ka rënë në duart e rusëve, Kherson në jug të vendit. 900 qytete të tjera ishin çliruar nga pushtuesit sipas tij.
Por, beteja që po vazhdon në Mairupol ka rëndësi, strategjike dhe simbolike. Rënia e këtij qyteti do t’i mundësonte rusëve një rrugë tokësore me gadishullin e aneksuar të Krimesë, ndërsa ukrainasit do të humbnin një nga qytetet që ndikon shumë në ekonominë vendas, pasi në të është i vendosur porti më i madh në rajonin e Detit Azov dhe është shtëpia e një fabrike të madhe hekuri dhe çeliku. Qyteti është gjithashtu një qendër kryesore eksporti për çelikun, qymyrin dhe misrin e Ukrainës.
Një tjetër ngjarje tragjike është shënuar në verilindje të vendit, në qytetin Kharkiv ku bombardimet e forcave ruse kanë goditur ndërtesa civile, duke vrarë pesë persona dhe plagosur 13 të tjerë sipas zyrtarëve të shëndetësisë.
Top Channel