Keni dëgjuar për lakanofobinë? Bëhet fjalë për frikën e pajustifikuar ndaj perimeve.
Fjala (Lachanaphobia) vjen nga greqishtja e lashtë. Lachno do të thotë perime dhe phobos nënkupton frikën e ushqyerjes me to.
Shumë njerëz nuk i pëlqejnë perimet dhe i shmangin ato.
Megjithatë, ata që vuajnë nga fobia e mirëfilltë, jo vetëm që nuk i pëlqejnë, por i urrejnë dhe përjetojnë panik dhe ankth thjesht me t’i parë apo menduar ato.
Simptomat
Individët që vuajnë nga kjo fobi i shmangen sektorëve të perimeve në dyqane dhe supermarket.
Ato as nuk mund t’i prekin perimet nga frika prej tyre.
Simptomat që përjetojnë këta njerëz vetëm duke parë brokolin apo specat variojnë nga të vjellat deri tek problemet me frymëmarrjen.
Frika ekstreme ndaj perimeve, zhvillohet që në fëmijëri dhe vazhdon edhe gjatë rritjes.
Fëmijës mund t’i ketë ngelur në fyt një kokërr bizele ose një copë karrotë, ose mund të kenë pasur një reagim të rrezikshëm e të fortë ndaj perimeve dhe si rrjedhojë, thjesht prania e perimes në pjatë shkakton kriza paniku dhe të qarash.
Ndonjëherë, fëmijët shohin edhe prindin që të shprehë përçmim ndaj një perimeje, dhe fëmijët e imitojnë menjëherë. Në fakt, frika ndaj perimeve shpërthen brenda ambientit familjar.
Mungesa e perimeve në jetë mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin e gjithsecilit, ndaj AgroWeb.org do të zbulojë për ju disa marifete interesante për t’i transformuar perimet në gostitje të shijshme.
Marifeti i salcës
Karrotat e gjalla, specat e kuq dhe selinoja janë pjesë e një gostije të shijshme kur kombinohen me gatimet e shpejta, salcat apo kremërat e djathit.
Ndalesë në treg
Mënyra më e mirë për të gjetur perimet shumëngjyrëshe dhe tepër të shijshme është tregu i fshatarëve. Njëherë t’i provoni, gjithnjë do t’i kërkoni.
Metoda e fshehtë
Gatimi në avull i kungujve, qepëve, karrotave, patëllxhanëve përpara transformimit të tyre në pure ose në supë, është një marifet që duhet ta përdorni nëse dëshironi të maskoni shijen e padëshirueshme të perimeve të gjalla.
Nëse përfshini barishte si spinaqi, rukola apo bizelet në një lëng frutash do të keni mundësi të përmbushni kuotat e nevojshme të perimeve pa bërë kompromise me shijen.
Gatimi i duhur
Perimet e ëmbla si bizele, panxhari, patatja e ëmbël dhe kungulli janë të parezistueshme nëse i gatuani siç duhet. Pjekja në furrë është më e mira, më e shijshmja dhe më e shëndetshmja./AgroWeb
Top Channel