Koreja e Veriut test për të përmirësuar armët bërthamore, Kim Jong-un duartroket

17/04/2022 16:40

Koreja e Veriut thotë se ka testuar me sukses një armë të re, e cila sipas saj do të rrisë ndjeshëm aftësitë e tyre taktike bërthamore. Fotot e publikuar nga agjencia vendase e lajmeve, tregojnë liderin e vendit Kim Jong-un duke buzëqeshur dhe duartrokitur ndërsa shikon lëshimin e raketës së re.

Ekspertët besojnë se kjo është një shenjë se Koreja e Veriut po planifikon të testojë së shpejti një armë bërthamore kompakte apo ndryshe  një armë bërthamore taktike.

Koreja e Veriut ndaloi testimin bërthamor në vitin 2017. Një vit më pas, ajo hodhi në erë tunelet në vendin e saj  ku kryente testimet bërthamore, një lëvizje që u pa të ishte pjesë e një afrimi diplomatik me Korenë e Jugut dhe SHBA.

Por imazhet e fundit satelitore sugjerojnë se po punohet për restaurimin e tuneleve.

“Raketa  e re ka një rëndësi të madhe në përmirësimin e fuqisë të armëve të artilerisë me rreze të gjatë dhe në rritjen e efikasitetit në funksionimin e armëve bërthamore taktike”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.

Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se dy raketa me gjasë me rreze të shkurtër  u lëshuan nga Veriu në det të shtunën në mbrëmje,  Ekspertët thonë se koha e testimit mund të shihet si një protestë kundër stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat do të zhvillohen për nëntë ditë duke nisur nga e hëna.

Koha e testimit gjithashtu përkon me ngjarjet që festojnë përvjetorin e lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim II-sung.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA