Irani konfirmon se ka zhvendosur centrifugat në një uzinë nëntokësore

17/04/2022 13:52

Irani ka konfirmuar se ka zhvendosur centrifugat në uzinën bërthamore nëntokësore të Natanzit, disa ditë pasi agjencia mbikëqyrëse bërthamore e Kombeve të Bashkuara tha se kishte vendosur kamera vëzhgimi, me kërkesë të Teheranit, për të monitoruar një punëtori të re.

Makineritë – që u zhvendosën nga centrali bërthamor tashmë i mbyllur i Karajit – do të përdoren për të tuba dhe pjesë të tjera të rotorit të centrifugës, që janë pajisje thelbësore që centrifuga të rrotullohet me shpejtësi të lartë për të pasuruar gazin e urinimit. Ky zhvillim ngrit pyetjet lidhur me planet e Iranit për të prodhuar centrifuga më të avancuara.

Media shtetërore iraniane citoi zëdhënësin e agjencisë për energji bërthamore iraniane, Behrouz Kamalvandi, të ketë thënë se autoritetet kanë zhvendosur operacionet në një vend më të sigurt për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Ndërtesa në Karaj, ku Irani kishte centrifugat, ka qenë cak i sulmeve në qershorin e kaluar, sulme që Irani ka thënë se kanë qenë sabotuese. Uzina në Natanz është goditur dy herë nga sulmet sabotuese dhe Irani ka fajësuar Izraelin për këto sulme.

Që nga këto sulme, Teherani po kërkon që të ketë siguri më të madhe për këto uzina bërthamore.

Natanzi është një uzinë nëntokësore për pasurimin e uraniumit dhe duke qenë se është nëntokë ka më shumë mbrojtje nga sulmet ajrore.

“Fatkeqësisht për shkak të operacionit terrorist që ndodhi në Karaj, ne u detyruam që të intensifikojmë masat e sigurisë, sipas të cilave, ne zhvendosëm një pjesë të rëndësishme të makinerive dhe i transferuam në Natanz dhe Isfahan”, tha Kamalvandi.

Isfahan është një tjetër ndërtesë bërthamore e Iranit.

Javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore instaloi kamerat e reja të vëzhgimit në një punëtori të re në Natanz, me kërkesë të autoriteteve iraniane.

Ka shqetësime se Irani mund të jetë afër që të ndërtojë armë bërthamore, nëse dëshiron që të ketë një armë të tillë.

Irani po pasuron uranium me qindra centrifuga të avancuara. Disa prej centrifugave mund ta pasurojnë uraniumin deri në 60 për qind pastërti, që është afër 90-përqindëshit që kërkohet për të prodhuar armë bërthamore.

Irani ka tejkaluar 3.67 për qind sa i lejohej në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që arriti me fuqitë bërthamore. Përpara marrëveshjes, Irani pasuronte uranium deri në 20 për qind pastërti.

Irani insiston se nuk ka plane për të krijuar armë bërthamore.

Bisedimet midis Iranit dhe fuqive botërore në Vjenë, që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes, kanë ngecur. Marrëveshja kolapsoi katër vjet më parë kur presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit. Që atëherë, Irani ka zgjeruar aktivitetet bërthamore./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA