Një gjykatës serb ka vendosur që bosi i krimit të organizuar, Darko Sariq, të qëndrojë në paraburgim për një muaj, duke anuluar vendimin për arrest shtëpiak.
Gjykatësi tha se kjo masë është marrë për shkak të frikës se Sariq mund të përpiqet që të largohet nga vendi apo të tentojë që të manipulojë provat, teksa pritet të nisë rigjykimi ndaj tij.
Më 16 prill, gjykatësi serb tha gjatë seancës paraprake se Sariq “mund të fshihet apo të ikë dhe mund të bëhet i paarritshëm për autoritetet gjyqësore”, teksa ai pret për procedurat e mëtejme gjyqësore.
Sariq akuzohet për organizimin e një grupi për kontrabandë të drogës dhe për pastrim parash.
Ai ishte dënuar më 2018 me 15 vjet burgim për organizim të grupit. Por, vendimi i Gjykatës Supreme në qershor të vitit 2021 i lejoi Sariqit që të dilte nga burgu dhe të dërgohej në arrest shtëpiak, pasi u gjet se kishte pasur parregullsi gjatë procedurës gjyqësore në rastin e tij.
Organizata kriminale, që Sariq ka udhëhequr, është akuzuar për kontrabandimin e pothuajse gjashtë tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë në vitin 2008 dhe 2009.
Gjykata Supreme në vendimin e saj nuk kishte vënë në dyshim provat ndaj Sariqit, në bazë të të cilave u dënua në gjykimin fillestar, por bosi i krimit ka thënë se është i pafajshëm./REL
Top Channel