Pas dy javë qetësie relative, kryebashkiaku i Kiev paralajmëronte banorët e kryeqytetit se kthimi i tyre nuk kishte siguri.
Fabrika e armatimeve e shkatërruar nga një raketë ruse e lëshuar nga ajri, kishte prodhuar të paktën një prej raketave që fundosën luftanijen ruse Moskva, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”.
Sulmi i të premtes konsiderohej nga të dyja palët si goditja më e fortë e hakmarrjes nga Kremlini pas fundojses së luftanijes së rëndësishme ruse në Detin e Zi.
Ai qe gjithashtu një paralajmërim se lufta në kryeqytetin e Ukrainës as që i është afruar fundit.
Sipas kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve në Ukrainë, fabrika Vizar pranë aeroportit ndërkombëtar të Kievit, prodhonte raketat Neptune, një prej të cilave goditi luftanijen ruse Moskva, e fundosur një ditë më parë.
Sulmi u ndoq nga shpërthime të tjera në orët e para të së shtunës, kur forcat ruse bombarduan një fabrikë ushtarake në zonën Darnytsky të kryeqytetit Kiev.
“Kishte gjithsej pesë goditje,” tha Andrei Sizov, 47-vjecar pronar i një punishteje druri aty pranë. “Një punonjës i imi ishte në zyrë në kohën e shpërthimit dhe u hodh përpjetë nga forca. Ata po hakmerren për shkatërrimin e Moskva.”
Punonjësit e emergjencës dhe mjekët vijojnë të punojnë në vendngjarje për të qartësuar numrin e viktimave.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte përdorur një raketë preçizioni të rangut të largët për goditjen e impjantit.
Ky ishte sulmi i parë i Rusisë ndaj kryeqytetit të Ukrainës që prej nijses së tërheqjes së tyre nga rrethinat e Kiev, duke ardhur në kohën kur dyqanet kishin nisur të rihapeshin dhe qytetarët po rinisnin të dilnin në rrugë.
Sulmet e fundit nuk ishin një surprizë pasi ministria ruse e mbrojtjes ishte zotuar të godiste objektiva në Kiev në kundërpërgjigje të “sulmeve terroriste dhe të sabotazhit” që sipas tyre janë kryer nga “regjimi nacionalist i Ukrainës”.
Në incidentin e të mërkurës, luftanija ruse kishte shpërthyer pasi dy raketa Neptune goditën depon e saj të municioneve.
Kremlini nuk ka dhënë detaje të viktimave të mundshme në luftanije dhe as nuk ka publikuar foto nga mjeti i shkatërruar, gazetarët rusë flisnin të nervozuar ndaj ukrainasve pas fundosjes së luftanijes së njohur.
Top Channel