Ky është Arsen Qose i cili pasi festoi ditëlindjen me koktej pijesh alkoolike, në gjendje të dehur u zhvesh në hotelin ku ishte akomoduar.
39-vjeçari u denoncua nga pronari i hotelit për lakuriqësi dhe për këtë arsye një patrullë policie mbërriti menjëherë në Dajt për ta arrestuar. Por nga komisariati ai përfundoi me të dyja duart e thyera në spital dhe për këtë Arsen Qose akuzon oficerët e policisë.
“M’i ka thyer policia, më ka masakruar më ka rrahur. I sigurt për këtë. Ke raportin e spitalit Ushtarak”, tha ai.
Ai doli përpara gjykatës për akuzën e kundërshtimit të policisë meqenëse sipas Prokurorisë ai nuk iu bind oficerëve kur tentuan ta shoqëronin, por në procesverbale edhe oficerët e policisë pretendojnë se janë dhunuar nga qytetari i dehur dhe se kanë fraktura.
“Kam qenë i pavetëdijshëm fare”, u shpreh ai.
Menjëherë mbasi klienti i tij u lirua nga gjykata nën masën detyrim paraqitje , avokati Erjon Kullolli kërkon zbardhjen e së vërtetës.
“Kërkoj dhe do e ndjekim, sepse është respektim i të drejtave të personave si të shoqëruar si të arrestuar, por mbi të gjitha cenim i të drejtave të njeriut”, tha Kullolli.
Por nëse ky qytetar thotë të vërtetën, nëse këto fraktura janë shkaktuar nga një rrëzim aksidental apo për shkak të dhunës barbare të policisë këtë do ta konfirmojë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e cila thotë se ka nisur menjëherë hetimet ndaj komisariatit në fjalë.
Top Channel