Në shtator, 650 nxënës të zonës së Qesarakës dhe Freskut do të hyjnë në shkollën e re. Veç klasave të reja, shkolla do të ketë 6 laboratorë, palestër dhe terrene të jashtme sportive, me të njëjtën cilësi si në të gjitha shkollat e ndërtuara në Tiranë.
Për kryebashkiakun Erion Veliaj, ky gjimnaz do të ulë mbingarkesën në shkollat e tjera të zonës.
Veliaj: “Shkolla do i shërbejë Freskut, IKV-së, një pjese të Kinostudios, zonës së Teleferikut, të Qesarakës dhe Linzës. Në fillim sollëm shërbimet e njësisë administrative më pranë qytetarit, pastaj çerdhen dhe kopshtin, që më rezultojnë histori suksesi në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Shkolla e re “17 Shkurti”, që u dëmtua nga tërmeti, po rindërtohet nga e para, e në shtator do të kemi edhe këtë gjimnaz fantastik”, tha ai.
Kryebashkiaku u bëri apel prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat afër banesës, pasi cilësia është e njëjtë, edhe në mësimdhënie.
Veliaj: “Me hapjen e shkollës në shtator, ku do të regjistrohen mbi 600 nxënës, klasat do të jenë me vetëm nga 30 vetë. Por, më e rëndësishmja është se komuniteti i zonës fiton edhe disa terrene sportive. Në të gjitha shkollat ku kemi vënë dorë, nuk ka asnjë dallim – qoftë shkolla në Mangull, qoftë ajo në Dritas, në ekstremin më fundor ku ndahemi me Kamzën dhe Krujën, qoftë shkollat e tjera në fshatra, kanë të njëjtën cilësi. Për sa kohë që cilësia është njësoj dhe mësuesit janë më të mirët e portalit, prindërit e kuptojnë dhe fëmijët nuk ka nevojë të udhëtojnë gjatë”, nënvizoi Veliaj.
Shkolla e re pranë Qesarakës, në lagjen 12, do të ketë 21 klasa, 6 laboratorë të ndryshëm mësimor, palestër të re, si dhe disa terrene sportive, që do të jenë në shërbim të komunitetit të zones pas mësimit.
Top Channel