Papa Françesku tha të premten, më 15 prill, se ai e kupton pse qeveritë po blejnë armë për t’u mbrojtur në një botë të shkatërruar nga lufta, ndërkohë që ai përgatitej të kryesojë procesionin tradicional të Pashkëve, të Premten e Madhe.
Papa Françesku ka thënë më parë se shpenzimi i parave për armë është një “njollë” për njerëzimin.
“Unë i kuptoj ato qeveri që blejnë armë, i kuptoj ato”, tha Papa në një intervistë për Rai-n italian, para një ceremonie fetare në Koloseun romak.
“Unë nuk i justifikoj, por i kuptoj. Sepse ne duhet të mbrohemi”.
Pritet që gratë ukrainase dhe ruse të mbajnë kryqin këtë vit në procesionin Via Crucis, i cili zhvillohet të Premten e Madhe, ditën kjo në kalendarin e krishterë kur u kryqëzua Jezusi.
Më herët gjatë kësaj jave, ambasadori i Ukrainës në Selinë e Shenjtë dhe kryepeshkopi i Kievit dënuan planin e Vatikanit që gratë ukrainase dhe ruse të mbajnë kryqin së bashku gjatë procesionit. Ata kundërshtuan projektimin e asaj që e shihnin si ide e pajtimit, përderisa Ukraina është shkretuar nga lufta e nisur nga Rusia.
Vatikani nuk u është përgjigjur kritikave apo nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim në program.
Procesioni përkujton vuajtjet dhe vdekjen e Jezusit, nga dënimi e deri te varrosja e tij.
Papa do ta kryesojë atë për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.
Versioni i reduktuar i procesionit u mbajt në vitin 2020 dhe në vitin 2021, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Papa Françesku, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për t’i dhënë fund pushtimit rus, tha se e gjithë “bota është në luftë”.
Ai e dënoi “këtë model djallëzor të vrasjes nga një dëshirë për pushtet, një dëshirë për siguri, një dëshirë për shumë gjëra”.
Papa, 85-vjeçar, vizitoi të enjten burgun në Civitavecchia, pranë Romës, për t’u larë këmbët 12 të burgosurve, në një ritual që mbahet çdo vit për të përkujtuar darkën e fundit të Krishtit me apostujt.
Tradita e krishterë thotë se Jezusi lau këmbët e apostujve, para se të hante, si shenjë përulësie.
Papa Françesku, të shtunën mbrëma do të udhëheqë vigjiljen e Pashkëve në bazilikën e Shën Pjetrit, ndërkaq në mëngjesin e të dielës do të pasojë mesha e Pashkëve, pas së cilës do ta kryejë bekimin tradicional “Urbi et Orbi”.
Top Channel